Të drejtat dhe liritë

kushtetuese

 

Koncepti i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore

Të drejtat e njeriut konsiderohen si cilësi, që njeriu i gëzon që nga lindja. Të drejtat e njeriut I kanë të gjithë individët, pavarësisht se kush janë ose ku jetojnë, ndërsa ka grupime të caktuara që gëzojnë të drejta specifike, që zbatohen vetëm për ta. Ato bazohen në parimin e respektimit të individit. Një nga tiparet kryesore të të drejtave të njeriut është universaliteti.

Video e fundit – Kliko për më shumë

Vështrim i Përgjithshëm mbi të drejtat e njeriut

Të drejtat dhe liritë themelore klasifikohen në kategori të ndryshme:

Liri/të drejta pozitive apo negative

liri vetjake apo kolektive

liri/të drejta politike

liri/të drejta sociale, ekonomike e kulturore, etj.

Liritë e garantuara nga Kushtetuta, për realizimin e të cilave kërkohet mosndërhyrje nga ana e shtetit, njihen si liri negative. Ndërsa liritë e garantuara nga Kushtetuta, për realizimin e të cilave kërkohet ndërhyrja aktive e autoriteteve publike njihen si liri pozitive.

Parimet dhe garancitë kushtetuese

  • Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i kushton një vend të veçantë të drejtave dhe lirive themelore. Neni 3 i Kushtetutës shpall se të drejtat njerëzore dhe liritë janë bazat e këtij Shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë ato”, ndërsa në Pjesën e II, parashikohen parimet dhe garancitë kryesore kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave, si dhe rastet dhe kriteret e kufizimeve të tyre. Ajo parashikon disa parime themelore që përshkojnë të drejtat dhe liritë themelore:
  • Parimi i lirisë
  • Parimi i barazisë dhe mosdiskriminimit
  • Proporcionaliteti
  • Detyrimi i organeve të pushtetit publik për të respektuar dhe kontribuar në realizimin e tyre.

Kush i gëzon të drejtat dhe liritë e njeriut?

Titullarët dhe përfituesit e të drejtave dhe lirive themelore janë të gjithë individët, shtetas shqiptarë, të huajt dhe personat pa shtetësi, banues në Shqipëri, me përjashtim të rasteve kur Kushtetuta e lidh në mënyrë të posaçme me shtetësinë shqiptare, ushtrimin e të drejtave e të lirive të caktuara.

Subjekte te posaçme:

Kushtetuta parashikon edhe mbrojtje të veçantë për: 

  • Personat që iu përkasin pakicave  kombëtare, gjuhësore  dhe kulturore
  • Fëmijët, gratë dhe të rinjtë;
  • Grupe të tjera vulnerabël që vlerësohen në kontekstin    politik, social, ekonomik, e
    kulturor të një vendi.

Detyrimet e shtetit shqiptar

Shteti shqiptar ka detyrimin të mbrojë në mënyrë të njëjtë të gjithë individët, pa dallim dhe diskriminim në territorin e Republikës së Shqipërisë, si edhe të gjithë shtetasit shqiptarë që banojnë jashtë territorit të vendit.

Kufizimet e të drejtave dhe lirive themelore sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë 

Të drejtat dhe liritë themelore kanë kufizimet e tyre – disa prej tyre mund të kufizohen në një masë të caktuar, duke respektuar hapat e mëposhtën: 

  • Kufizimet vendosen vetëm me ligj
  • Kufizimet vendosen për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve
  • Kufizimi duhet të jetë në përpjestim me gjendjen që e ka diktuar atë
  • Kufizimi nuk mund të cenojë thelbin e lirive dhe të drejtave
  • Kufizimi i vendosur nuk mund të tejkalojë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).  

Ky parashikim synon të ndalojë abuzime nga ana e shtetit në llogari të individëve. 

Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut është një marrëveshje ndërkombëtare, e cila në sistemin ligjor shqiptar renditet menjëherë pas Kushtetutës.

Kategoritë e të drejtave dhe lirive themelore

sipas Kushtetutës së RSH

1. Liritë dhe të drejtat vetjake

  • E drejta e jetës – është e drejta bazë pa të cilën nuk mund të kuptohen të drejtat dhe liritë e tjera themelore. Dënimi me vdekje është hequr nga legjislacioni shqiptar.
  • Liria e shprehjes, e shtypit dhe medias/mjeteve elektronike të komunikimit – Çdokujt i garantohet liria e fjalës dhe e shprehjes së lirë të mendimit. Kushtetuta parashikon lirinë dhe pluralizmin e medias, lirinë e mjeteve dhe medias elektronike si dhe audiovizuale. Shprehja e lirë e mendimit nuk duhet të shpërdorohet (nuk duhet të përbëjë vepër penale (fyerja, shpifja, etj), të përhapet sekreti shtetëror, të cenojë privatësinë ose të përbëjë gjuhë urrejtje,
  • E drejta e informimit është e garantuar – Kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore. Po ashtu, kujtdo i jepet mundësia të ndjekë mbledhjet e organeve të zgjedhura kolektive.
  • Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar nga Kushtetuta. Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose
    kryerjes së riteve.
  • Ndalimi i ushtrimit të torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues – Kushtetuta garanton që në Shqipëri askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.
  • Ndalimi i punës së detyruar – Askujt nuk mund t’i kërkohet të kryejë një punë të detyruar, përveçse në rastet e ekzekutimit të një vendimi gjyqësor ose përjashtime të tjera në rastin e gjendjes së jashtëzakonshme.
  • Liria dhe siguria personale – Askujt nuk mund t’i hiqet liria, përveçse në rastet dhe sipas procedurave të parashikuara me ligj. Liria e personit nuk mund të kufizohet, përveçse në rastet specifike të parashikuara me ligj.
  • E drejta për një proces të rregullt ligjor. Kjo e drejtë shtrihet në çdo procedurë ligjore, por Kushtetuta i kushton rëndësi të veçantë garancive që i ofrohen individit në një proces gjyqësor.
  • E drejta për të gëzuar një jetë të qetë private përfshin disa “nën të drejta” 

  Mbrojtja e të dhënave personale – Askush nuk mund të detyrohet, përveçse kur e kërkon ligji, të bëjë publike të dhëna që lidhen me personin e tij. Mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e të dhënave rreth personit bëhet me pëlqimin e tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj.

  Liria dhe fshehtësia e korrespondencës ose e çdo mjeti tjetër të komunikimit janë të garantuara.

  Paprekshmëria e banesës është e garantuar. Kontrollet e banesës, si dhe të mjediseve që njësohen me të, mund të bëhen vetëm në rastet dhe në mënyrat e parashikuara me ligj.

 

  • E drejta e pronës dhe mbrojtja e saj – është e garantuar. Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil. Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publikë.
2. Liritë dhe të drejtat politike

  Këtu mund të veçojmë:

  • E drejta e votës – një e drejtë e rëndësishme me natyrë politike që garantohet nga Kushtetuta. Votues/zgjedhës është çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote, që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, dhe ka të drejtën të zgjedhë
    dhe të zgjidhet.  

Kushti i moshës: vetëm personat madhorë që kanë mbushur moshën 18 vjeç gëzojnë zotësi juridike zgjedhore

Kushti i aftësisë/zotësisë për të qenë zgjedhës: 

     – Kufizimi i të drejtës zgjedhore për shkak të aftësisë  së kufizuar mendore 

      – Kufizimi i të drejtës zgjedhore për shkak të dënimit me burgim, si dënim penal I formës së prerë. 

Kushti i shtetësisë: vetëm shtetasit shqiptarë gëzojnë të drejtën e votës në RSH.

Parimi i zgjedhjeve të lira – sigurimi i kushteve dhe garancitë për të mundësuar shprehjen e lirë të vullnetit të votuesve 

Parimi i barazisë së votës – barazia e shtetasve para ligjit; një njeri, një votë. 

Parimi i mosdiskriminimit – vota vlerësohet njësoj pa asnjë diskriminim për kategoritë dhe grupet e ndryshme shoqërore. 

Tiparet e votës: Vota është vetjake, e barabartë, e lirë, e fshehtë. 

  • Liria e organizimit, grumbullimit, tubimit: Kushdo ka të drejtë të organizohet kolektivisht për çfarëdo qëllimi të ligjshëm. Organizimet mund të jenë me natyrë shoqërore, ekonomike, kulturore, profesionale, sindikata, lëvizje, parti politike, etj.  

Kjo liri kufizohet nëse organizatat ose shoqatat ndjekin qëllime antikushtetuese dhe janë të
ndaluara sipas ligjit.  

  • Kufizimet në rastin e luftës apo gjendjes së jashtëzakonshme Gjatë gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme nuk mund të kufizohen të gjitha të drejtat dhe liritë. Kushtetuta ka përcaktuar se vetëm një pjesë e të drejtave mund të kufizohen si p.sh. liria e tubimit dhe organizimit, liria e lëvizjes, e drejta e të punësuarit për grevë etj. 
Institucionet kushtetuese dhe ligjore në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore

  • Avokati i Popullit – institucion kushtetues i pavarur, i cili mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme të organeve të administratës publike. Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa kur vëren shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga administrata publike. Organet dhe funksionarët publikë janë të detyruar t’i paraqesin Avokatit të Popullit të gjitha dokumentet dhe informacionet e kërkuara prej tij.
  • Gjykata Kushtetuese – për çështje që lidhen me të drejta dhe interesat e tyre legjitime, individët mund t’i drejtohen me kërkesë Gjykatës Kushtetuese. Gjykata
  • Kushtetuese zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.
  • Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi – institucion i krijuar me ligj, veprimtaria e të cilit realizohet nëpërmjet shqyrtimit të ankesave të subjekteve që pretendojnë se janë viktima të sjelljeve diskriminuese apo që e nxisin atë, jo vetëm nga administrata publike, por edhe nga subjektet private. Komisioneri realizon hetime administrative pas marrjes së informacionit të besueshëm për shkelje të këtij ligji, dhe bën sondazhe dhe monitorime për nivelin e zbatimit të ligjit. Procedurat e hetimit administrativ pasohen nga rekomandime dhe në rast të moszbatimit të tyre vendosen edhe sanksione sipas parashikimeve ligjore.
  • Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave personale – është institucion i pavarur i administratës publike. KDIMD kryen hetimadministrativ dhe ka të drejtën e aksesit në përpunimet e të dhënave personale, si dhe ka të drejtë të mbledhë të gjithë informacionin e nevojshëm për përmbushjen e detyrave të mbikëqyrjes; urdhëron bllokimin, fshirjen, shkatërrimin ose pezullon përpunimin e paligjshëm të të dhënave personale; jep udhëzime përpara se përpunimet të kryhen dhe siguron publikimin e tyre.