Korniza ligjore që garanton mbrojtjen nga diskriminimi gjinor

 

Një ndër format më të hershme të diskriminimit është ai për arsye gjinore. Femrat janë konsideruar si inferiore ndaj meshkujve dhe pushtetit të tyre e për rrjedhojë kanë gëzuar një vend shumë të vogël në shoqëri, duke mos pasur mundësi të trajtoheshin si të barabarta dhe të gëzonin të drejtat dhe liritë e tyre themelore. Një trajtim jo i barabartë i grave dhe mos përfshirja e tyre de facto në jetën social-politike ka sjellë një rrezik të shtuar për gratë dhe vajzat për të qenë viktima
të trafikimit.

 

Diskriminimi gjinor

është trajtimi më pak i favorshëm i një individi vetëm për shkak të seksit. Kryesisht, ky trajtim i ndryshëm është drejtuar ndaj femrave. Seksi i një individi është i përcaktuar biologjikisht dhe tregon vetëm ndryshimet fizike mes meshkujve dhe femrave, ndërsa gjinia është mënyra e përcaktimit dhe perceptimit të vajzave dhe djemve në një shoqëri.
Të drejtat e grave janë pjesë e pandarë e të drejtave të njeriut dhe si të tilla duhet të jenë
efektive jo vetëm në letër.

 Aktet kryesore ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e grave janë:

  • Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave (CEDAW)
  • Konventa ndërkombëtare për të drejtat civile e politike (KNDCP)
  • Konventa ndërkombëtare për të drejtat ekonomike, sociale e kulturore (KNDESK)
  • Konventa Evropiane për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut (KEDNJ)
  • Konventa për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje
    (Konventa e Stambollit)
  • Deklarata e Pekinit dhe Platforma për Veprim
  • Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Agjenda 2030 e OKB-së – Objektivi nr. 8.

Këto konventa ndërkombëtare janë ratifikuar nga shteti shqiptar dhe janë bërë pjesë e sistemit
tonë ligjor.

Barazia gjinore garantohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë si një ndër parimet më të rëndësishme në të cilat ajo bazohet.

Përveç Kushtetutës, të drejtat e grave mbrohen dhe nga një sërë ligjesh të tjera vendase si:

Kodi Penal, i cili vendos në mbrojtje të veçantë gruan

  • Kodi i Procedurës Penale, i cili nuk bën dallim mes procedimit penal të grave dhe burrave, si edhe ofron një sërë kushtesh favorizuese për gratë: p.sh. nuk mund të vendoset arresti në burg ndaj një gruaje që është shtatzanë ose me fëmijë në gji (neni 230)

  • Kodi i Familjes, rregullon në mënyrë të njëjtë për bashkëshortët të drejtat dhe detyrimet për lidhjen dhe zgjidhjen e martesës si edhe marrëdhëniet e tyre me fëmijët

  • Kodi Civil, i cili garanton në mënyrë të njëjtë të gjitha të drejtat dhe detyrimet civile mes femrave dhe meshkujve

  • Kodi Zgjedhor, garanton jo vetëm të drejtën e votës për gratë, por edhe të drejtën për t’u zgjedhur në organet e larta përfaqësuese, qendrore e vendore.

  • Ligji “Për barazinë gjinore në shoqëri”, rregullon marrëdhëniet shoqërore në jetën publike, veçanërisht në fushën e arsimit, të punës dhe të shërbimeve në bazë të parimit për barazi gjinore në shoqëri

  • Ligji “Për masat kundër dhunës në marrëdhëniet familjare”, synon të parandalojë dhe të reduktojë të gjitha format e dhunës në familje si edhe të sigurojë përmes tyre mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje

  • Ligji për “Mbrojtjen nga diskriminimi”, i cili garanton mbrojtje ndaj diskriminimit me bazë gjinore

  • Ligji “Për shëndetin riprodhues”, i cili i jep të drejtë çdo gruaje për t’u kontrolluar e për të vendosur lirisht për të gjitha çështjet që lidhen me seksualitetin e saj dhe shëndetin seksual e riprodhues”, etj.

 2- Kuadri politik për garantimin dhe nxitjen e barazisë gjinore 

Shqipëria ka hartuar dhe miratuar një sërë strategjish dhe planesh veprimi me qëllim
përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe ndërkombëtare. Strategjitë më të rëndësishme në lidhje me
barazinë gjinore janë: 

Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2016- 2020

Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore 2016-2020

Strategjia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2019–2022

Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen Sociale 2020-2023

Plani i Veprimit për mbështetjen e gruas sipërmarrëse, 2014-2020

Plani i Veprimit për mbështetjen e gruas sipërmarrëse 2014-2020

Strategjia Ndërsektoriale për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor në Shqipëri 2014-2020

Strategji të tjera

Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore 2016-2020, e cila ka në qendër të saj 4 objektiva kryesore:

 Fuqizimi ekonomik i grave dhe burrave

 Garantimi i pjesëmarrjes faktike dhe të barabartë të grave në politikë dhe në
vendimmarrjen publike

 Reduktimi i dhunës me bazë gjinore dhe i dhunës në familje

 Fuqizimi i rolit koordinues dhe monitorues të Mekanizmit Kombëtar për Barazinë Gjinore, si dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë mbi çuarjen përpara të barazisë gjinore.

Edhe pjesa më e madhe e dokumentave të tjerë politikë i japin theks shumë të madh fuqizimit të grave dhe vajzave në Shqipëri, përmes edukimit dhe punësimit, kjo veçanërisht në zonat rurale.

3- Mbrojtja e grave nga diskriminimi – të drejta specifike

E drejta e grave për të zgjedhur dhe për t`u zgjedhur është garantuar nga Kushtetuta. Kodi Zgjedhor ka parashikuar karakterin vetjak të votës. Ndërkohë, që ligji “Për barazinë Gjinore në Shoqëri” ka përfshirë edhe detyrimin e kuotave legjislative gjinore, të cilat si një masë e përkohshme, sigurojnë pjesëmarrje reale të grave në përfaqësim dhe vendimmarrje. Ndryshimet
e fundit në Kodin Zgjedhor kërkojnë që, një në dy kandidatë në listën zgjedhore të jetë nga gjinia
më pak e përfaqësuar. 

Sipas Nenit 15 të ligjit për “Barazinë Gjinore në Shoqëri” kuota gjinore në organet e zgjedhura kërkon përfaqësim të barabartë gjinor (mbi 30% nga secila gjini), jo vetëm në anëtarësinë e Kuvendit dhe të organeve të zgjedhura të njësive të qeverisjes vendore, por edhe në organet e administrimit zgjedhor.

Barazia në punë mes gjinive është parashikuar nga neni 9 i Kodit të Punës. 

Kjo barazi nënkupton:

  • Ofrimin e mundësive të njëjta për t`u punësuar
  • Ofrimin e kushteve të njëjta të punës dhe pagesës së njëjtë
  • Ofrimin e mundësive për t`u kualifikuar në mënyrë të njëjtë
  • Mundësia për të përfituar nga sigurimet shoqërore veçanërisht në rastin e lejeve të lindjes, etj.

Shkelja e parimit të barazisë gjinore në marrëdhënien juridike të punës dënohet me pagimin e 50- fishit të pagës minimale mujore.

Legjislacioni shqiptar u garanton grave të drejta të njëjta me burrat në lidhjen e martesës, regjimin pasuror martesor dhe të drejtat mbi fëmijët. Të njëjtat garanci ofrohen edhe në rastet e zgjidhjes së martesës.

Mbrojtja nga dhuna është një ndër garancitë më të rëndësishme që i ofrohet grave. Megjithë
garancitë ligjore dhe punën në këtë aspekt, një pjesë e mirë e grave të dhunuara nuk raportojnë
këtë fakt pranë organeve kompetente.

Të drejta të tjera tepër e rëndësishme për gratë, janë të drejtat që lidhen me shëndetin
riprodhues. Për këtë qëllim, ligji “Për shëndetin riprodhues” parashikon se,

Garancitë mbi të drejtat e pronësisë së grave dhe vajzave si anëtare me të drejta të barabarta në
çdo familje janë forcuar përmes ligjit “Për kadastrën”, i cili detyron organet kompetente të
regjistrojnë pasuritë e krijuara gjatë martesës, për bashkëshortët në regjim pasuror të përbashkët,
në emër të të dy bashkëshortëve. Gjithashtu, edhe ligji “Për noterinë”, parashikon se çdo akt
noterial për kalimin e pasurive të paluajtshme duhet të tregojë regjimin pasuror martesor.

“Çdo grua, e lirë
dhe e përjashtuar nga çdo formë diskriminimi, detyrimi dhe dhune, ka të drejtë për t’u kontrolluar e për të vendosur lirisht për të gjitha çështjet që lidhen me seksualitetin e saj dhe shëndetin seksual e riprodhues”.