Edukimi & punësimi

 

Arsimimi

E drejta për arsim është një e drejtë kushtetuese ne garantuar për këdo në Shqipëri. Kjo është prej të drejtave social-ekonomike, të vetme e cila është kategorizuar si e drejtë themelore. Një shoqëri që nuk gëzon të drejtën për arsimim nuk mund të kërkojë të drejta të tjera, që i takojnë. E drejta për t`u arsimuar shihet si e drejtë detyrë, ku në njërën anë të gjithë gëzojnë mundësinë për t`u arsimuar, e në anën tjetër parashikohen disa detyrime për ta jetësuar këtë të
drejtë, detyrime të cilat bien mbi shtetin, prindërit por dhe vetë fëmijët.

Karakteristika të së drejtës për t`u arsimuar në Shqipëri:

Arsim bazë i detyrueshëm

Falas

Pluralist dhe laik

Garantim i gjithëpërfshirjes dhe aksesit

Arsimi shkollor i detyrueshëm është arsimi 9 vjeçar. Arsimi i mesëm i përgjithshëm publik është i hapur për të gjithë. Ndërkohë, arsimi i mesëm profesional dhe i lartë mund të kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie. Nxënësit dhe studentët mund të arsimohen edhe në
shkolla jopublike të të gjitha niveleve, të cilat krijohen e funksionojnë në bazë të ligjit. Autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike si dy parime të rëndësishme kushtetuese janë të garantuara me ligj të veçantë. 

Puna

 E drejta për të punuar është një e drejtë kushtetuese. Kushtetuta, në nenin 49 të saj, garanton të drejtën për punë, duke theksuar mundësinë e zgjedhjes së profesionit, vendit të punës dhe kualifikimit të vet profesional. Gjithashtu, garantohet e drejta për të përfituar ndihmë ekonomike nëse një qytetar mbetet pa punë për shkak të kushteve që nuk lidhen me vullnetin e tij (neni 52).

Pavarësisht se sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi në Shqipëri, të gjithë shtetasit, si femra ashtu edhe meshkuj, kanë të drejta dhe duhet të kenë mundësi të parabarta punësimi, por situata në praktikë është disi ndryshe.

Kriteret dhe kufizimet e të drejtës për punë:

Mosha për punë (mosha minimale dhe maksimale për ndërprerjen e marrëdhënieve
të punës);

Zotësia e plotë juridike për të vepruar;

Shtetësia shqiptare është kriter vetëm për funksionet publike, sipas përcaktimeve ligjore përkatëse.

Nga marrëdhëniet e punës burojnë të drejta të tjera, si p.sh. e drejta për pagë, koha e punës,
mbrojtja shoqërore dhe shëndetësore, lejet, kushtet e përshtatshme për të kryer punën,
sigurimi në punë etj.

1. Pjesëmarrja në forcat e punës dhe (mos)barazia në pagesë femra-meshkuj 

Statistikat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës tregojnë se ende ka një hendek shumë të madh mes të punësuarve meshkuj dhe ato femra. Sipas këtyre të dhënave, hendeku arrin në 27%. Megjithatë, duhet marrë parasysh se në vende të botës së tretë ndodh shpesh që vetëm burri mban përgjegjësi financiare për familjen, ndërsa gruaja kujdeset kryesisht për punët e
shtëpisë dhe fëmijët. Për pasojë, burrat arrijnë të regjistrohen në forcat e punës dhe gratë e
kanë shumë të vështirë deri të pamundur.

Burimi: ILO 2020

Ndërkohë, punësimi mes meshkujve dhe femrave në Bashkimin Europian, sipas EUROSTAT, është vetëm 11%, shifër e cila tregon një qëndrueshmëri të lartë dhe strukturim me rezultate të efektshme. Ndër vendet me hendekun më të ulët mes të punësuarve (meshkuj-
femra) janë Lituania me 2% e ndjekur nga Suedia me 4%.

Nëse do t`i referohemi të njëjtit realitet në lidhje me Shqipërinë – për femrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 61,8 %, ndërsa për meshkujt ky tregues është 77,9 %.
Meshkujt kanë një shkallë pjesëmarrje në forcat e punës prej 16,1 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për femrat është ulur me 0,2 pikë përqindje ndërsa për meshkujt është rritur me 0,2 pikë përqindje. Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2020, shkalla e punësimit për popullsinë
15-64 vjeç është 61,3 %. Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2019 në tremujorin e tretë të vitit 2020, është -1,2 %.

Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është -3,7 % në sektorin e bujqësisë, -0,2 % në sektorin e industrisë dhe 0,6 % në sektorin e shërbimeve.

Burimi: INSTAT 2020

Sipas anketimeve të bëra në 5 vitet e fundit, mbi 50% e të intervistuarve në marrëdhënie pune thanë se paga që merrnin nuk i përgjigjej kualifikimeve që kishin. Kjo përfshin të gjithë të intervistuarit, pa dallime mes grave dhe burrave.

Burimi: UNDP 2016

Ndërkohë, që vlera mesatare e të ardhurave personale për gratë e intervistuara ishte pak mbi 20 000 lekë në muaj. Burrat kishin të ardhura më të larta. Diferenca ndërmjet dy grupeve – grave dhe burrave – ishte prej mbi 40 000 lekë. Hendeku i pagave ndërmjet grave dhe
burrave ishte më i madh ndër të intervistuarit me nivele me të ulëta arsimore. 

Në referim të të njëjtit studim, më shumë se 20% e personave të intervistuar raportuan se
përgjegjësitë familjare përbënin pengesë për përparimin e tyre në karrierë. Megjithatë, një përqindje tepër e lartë është shprehur se antëarët e familjes e mbështesin përparimin e tyre në karrierë. Pjesa më e madhe e personave të intervistuar ishin dakord ose shumë dakord me pohimin “është mirë nëse gruaja punon, por mbi të gjitha, ajo duhet të mendojë për familjen dhe fëmijët e saj.” Më konkretisht, 87% e personave të intervistuar ishin dakord ose shumë dakord me këtë pohim. Nuk kishte dallime sipas llojit të rajonit, gjinisë, gjendjes civile dhe arsimit. Ndërkohë, 71% e personave të intervistuar ishin dakord ose shumë dakord me pohimin “burri duhet të sakrifikojë karrierën për familjen”. Të intervistuarit me nivele me të ulëta arsimore kishin më shumë gjasa të ishin dakord ose shumë dakord me pohimin “burri duhet të sakrifikojë karrierën për familjen”. Sa më e madhe mosha, aq më i madh niveli i pajtimit me pohimin “burri duhet të sakrifikojë karrierën për familjen”.

Përgjegjësitë familjare pengojnë përparimin në karrierë

%

po

%

jo

Anëtarët e familjes mbështesin përparimin në karrierë

%

po

%

jo

Bashkëshorti/Partneri e mbështet
 përparimin në karrierë

%

po

%

jo

Thuajse 41 % e personave të intervistuar raportuan se gratë dhe burrat kishin mundësi të barabarta në tregun e punës. Pra, nëse një grua dhe një burrë me të njëjtin nivel arsimor do të aplikonin për të njëjtin vend pune, atëherë mundësitë e tyre për ta fituar atë vend pune ishin të barabarta.
Rreth 35 % e personave të intervistuar thanë se “nëse një grua dhe një burrë kanë të njëjtin nivel arsimor dhe aplikojnë për të njëjtin vend pune, burri kishte më shumë gjasa ta marrë atë vend pune.” Ndërkohë, gati
24% thanë se gjasat ishin më të mëdha që atë vend pune ta merrte gruaja.
Pjesa më e madhe e personave të intervistuar që thanë se burrat kanë më shumë gjasa ta fitonin vendin e punës, fokusoheshin tek ndarja e punëve të shtëpisë dhe kujdesit për fëmijët.

2. Programet e punësimit në Shqipëri

Një ndër faktorët, që ndihmojnë në arritjen e barazisë gjinore në shoqëri është fuqizimi intelektual dhe ekonomik i grave dhe vajzave. 

Në këtë linjë janë miratuar një sërë ligjesh dhe dokumentash politike, të cilët rregullojnë aspekte të ndryshme të fuqizimit ekonomik dhe punësimit të grave dhe vajzave. 

Ligji nr. 65/2016 “Për ndërmarrjet sociale në Republikën e Shqipërisë, synon integrimin dhe riintegrimin e personave të përjashtuar nga tregu i punës, ofrimin e shërbimeve ndaj personave në nevojë, të cilët nuk kanë burime të mjaftueshme. 

Nё mars të vitit 2019, Kuvendi i Shqipërisë  miratoi ligjin e ri “Pёr nxitjen e punësimit”, që i hapi rrugën ndryshimeve thelbësore strukturore të Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe ndryshoi qasjen e tij ndaj politikave tё punësimit dhe aftësive profesionale. Ky ligj u miratua në vazhdën e ndryshimeve që solli në vitin 2017 ligji “Pёr arsimin dhe formimin profesional”, i cili për herë të parë e lidhi këtë fushë në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin e tregut të punёs dhe politikat shtetërore të punësimit. 

Këto ligje kanë në qendër të tyre fuqizimin e punëkërkuesve, nëpërmjet aftёsimit për punë dhe politikave aktive tё punësimit, të cilat çojnë në punësim të plotë dhe të denjë tё çdo individi në Republikën e Shqipërisë. 

Ligjet sollën ndryshimin e të gjithë bazës ligjore në fushën e punësimit dhe të formimit profesional, duke sintetizuar për herë të parë komponentin aftësi me punësimin. Pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për Nxitjen e Punësimit” në 2019, ndryshoi jo vetëm misioni, por edhe emri i institucionit qendror përgjegjës për zbatimin e politikave qeveritare në fushën e aftësimit profesional dhe punësimit, duke e kthyer nga Shërbim Kombëtar të Punësimit (SHKP) në Agjencinë Kombёtare të Punësimit dhe Aftёsive (AKPA). Agjencia ka një strukturë të posaçme, përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e strategjive të dedikuara të bashkëpunimit e marrëdhënieve me punëdhënësit.  

Miratimi i kornizës së re ligjore i hapi rrugën hartimit dhe miratimit të një sërë aktesh të tjera, që lidhen direkt me programet e nxitjes së punësimit. Për herë të parë programet e nxitjes së punësimit, përveç mbështetjes për punësimin, formim dhe praktikë profesionale do të mbështesin edhe hapjen e bizneseve të reja. Po ashtu, zyrat e punësimit, nëpërmjet programeve të veçanta, do të mbështesin jo vetëm punësimin e punëkërkuesve të papunë nëpër biznese, por edhe punësimin e tyre në punë komunitare. 

Me ndryshimet e fundit AKPA merr një rol të rëndësishëm, veçanërisht në fushën e këshillimit dhe orientimi për karrierë, me fokus orientimin e formimit të të rinjve në profesione të përshtatshme, bazuar në cilësitë individuale dhe zhvillimin e tregut të punës. Prej vitit 2019 AKPA filloi të aplikojë kurset 2 javore Start Smart, të cilat kanë fokus kryesor në pajisjen e punëkërkuesve të papunë me aftësi bazë për tregun e punës, si dhe me evidentimin e aftësive personale të secilit prej tyre dhe orientimin drejt kurseve të formimit profesional.  

Një risi tjetër e legjislacionit të ri në fushën e programeve të nxitjes së punësimit është mbështetja me bonuse të veçanta të punëkërkuesve të papunë, që do të angazhohen në projekte të veçanta nxitjeje, të tilla si mbulimi i kostove të transportit për punëkërkuesit e papunë, që i përkasin grupeve të pa avantazhuara, mbulimi i kostove për ndjekjen e kopshteve dhe çerdheve për prindërit e vetëm me fëmijë në ngarkim dhe që kanë të vështirë punësimin pikërisht për këtë arsye.

Gjatë vitit 2020 u miratuan 4 akte nënligjore në lidhje me procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programeve të nxitjes së punësimit nëpërmjet punësimit, formimit në punë dhe praktikave profesionale, vetëpunësimit dhe punëve publike në komunitet. Gjithashtu, një prej këtyre akteve trajton punësimin e personave të mbetur të papunë për shkak të Covid-19. 

PROGRAMET E PUNËSIMIT TË KRIJUARA GJATË 2020

Programi i Punësimit – është një program 1 vjeçar, përmes të cilit nevojat e punëkërkuesit përshtaten me kërkesat/aftësitë e kërkuara nga pudhënësi për vendin specifik të punës.  

Përfitues të programeve të punësimit duhet të jenë:  

  1. Punëkërkues të papunë të regjistruar dhe aktivë në Zyrat e Punës për të paktën 3 muaj
  2. Punëkërkues të papunë që kanë përfituar nga shërbimet e ofruara nga Zyrat e Punës

Target grup direkt i programit janë punëkërkues të papunë:  

  • Të rinj nën moshën 29 vjeç
  • Afatgjatë
  • Mbi moshën 45 vjeç
  • Të pakualifikuar
  • Të kthyer nga emigracioni prej jo më shumë se 2 vitesh
  • Përfitues të ndihmës ekonomike për vitin aktual dhe pasardhës
  • Përfitues të pagesës së papunësisë për më shumë se 3 muaj
  • Me aftësi të kufizuara
  • Viktima të trafikimit, dhunës me bazë gjinore dhe viktimat e dhunës në familje
  • Pjesë e komunitetit rom dhe egjiptian
  • Të cilët kanë përfundur kurs trajnimi profesional ose program formimi përmes punës dhe janë ende pa punë 6 muaj pas përfundimit. 

Punëkërkuesit e papunë mund të përfitojnë vetëm një herë në 5 vjet nga ky program. 

Punëdhënësit përfitojnë nga ky program:

  1. Pagesat e sigurimeve shoqësore dhe shëndetësore për 1 vit për personin që do punësojnë – 16.7% për pagën minimale
  2. Pagën minimale për 4 muaj. 
  3. Trajnim për punëmarrësit e rinj për 4 muaj – 2000 lekë për përfitues. 

Programi Formimi Përmes Punës –  ka qëllim trajnimin duke punuar të punëkërkuesve të papunë me qëllim që aftësitë e tyre të përshtaten me kërkesat e tregut të punës. Subvencioni zgjat për një periudhë 4 mujore nëse punëdhënësi nuk lidh kontratë pune me punëkërkuesin e papunë dhe 8 muaj shtesë nëse pudhënësi e punëson përfituesin e programit. Plani i trajnimit hartohet nga punëdhënësi dhe ky i fundit përcakton të paktën 1 trajner. 

Përfitues: punëkërkues të pakualifikuar në profesion, që kërkojnë të rrisin kapacitetet. 

Punëdhënësi përfiton: 

  • 4+8 muaj pagesë për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore;
  • 100% të pagës minimale për punëkërkuesin që ndjek trajnimin për 4 muaj; 
  • 4 muaj pagesë për trajnerin – 2000 lekë për çdo përfitues. 

Programi i Praktikave Profesionale – ofron mundësi aksesi në tregun e punës përmes kryerjes së një stazhi/praktike profesionale 6 mujore për një punëkërkues të papunë të padiplomuar. Subvencioni – 6 muaj. 

Përfitues: punëkërkues të papunë të sapo diplomuar deri 24 muaj pas diplomimit. 

Disa kategori punëkërkuesish tek të cilët përfshihen:
  • Jetimët; 
  • Viktimat ose viktimat potenciale të trafikimit; 
  • Viktimat e dhunës në familje ose me bazë gjinore; 
  • Personat me aftësi të kufizuar; 
  • Prindërit e vetëm me fëmijë nën 6 vjeç 

Gëzojnë përfitime të tjera si: 

  1. Rimbushim i transportit nëse jeton më shumë se 2km nga vendi i punës – 1600 lekë/muaj; 
  2. Subvencion për ndjekjen e kopshteve dhe çerdheve për fëmijët – 3000 lekë/muaj; 
  3. Përshtatje të arsyeshme në vendin ku do kryeht praktika.

Punëdhënësi përfiton: 50% të pagës minimale për t`ja dhënë stazhierit. 

Programi i Vetëpunësimit – është program 1 vjeçar, që mbështet punëkërkuesit e papunë, të regjistruar në zyrat e punës, të cilët kanë dëshirën dhe vizion për të ndërtuar biznesin e tyre. Nëpërmjet trajnimit mbi vetëpunësimin, këshillimeve të vazhdueshme gjatë gjithë fazave të programit dhe mbështetjes financiare (në formën e pajisjeve dhe / ose materialeve), programi asiston në transformimin e ideve në biznese të qendrueshme. Të gjithë personat të cilët janë të përfshirë në program do të përfitojnë:

  • Trajnime për zhvillimin e planit të biznesit dhe njohjen e koncepteve bazë të lidhur me vetëpunësimit;
  • Mbështetje financiare për realizimin e plan biznesit deri në vlerën 500,000 lekë – të gjithë shpenzimet duhet të paraqiten në plan biznes;
  • Shpenzime për vlerësimin e planit të biznesit nga ekspertët e fushës. 

Kush mund të përfitojë? 

  1. a) Të gjithë punëkërkuesit e papunë të regjistruar në strukturën vendore të punësimit;
  2. b) Çdo person që ka një ide biznesi, e cila nuk është në kundërshtim me kriteret e konkurrueshmërisë;

Punëkërkuesi, i cili aplikon në këtë program, duhet të marrë pjesë personalisht në të gjitha hallkat e procesit. 

Procedura e Zbatimit: 

  1. Shpallja e thirrjes nga AKPA 
  2. Aplikimi 
  3. Trajnim nga ofruesit e arsimit dhe formimit profesional – 3 javë kalendarike; 
  4. Vlerësimi i plan biznesit nga ekspertët; 
  5. Miratimi dhe lidhje e kontratës me Strukturën Rajonale të AKPA-së. 
  6. Financimi dhe monitorimi. 

Programi i Punëve Publike në Komunitet – ka qëllim përfshirjen e punëkërkuesve të papunë përmes ofrimit të mundësive të trajnimit dhe punësimit me kohë të pjesshme në shërbime në dobi të komunitetit.

Fushat e veprimtarisë  janë: 

  • Shërbime të kujdesit për fëmijët, shëndetësor dhe social; 
  • Rehabilitim për ish-përdoruesit e substancave narkotike; 
  • Shërbime për komunitetin dhe mjedisin; 
  • Shërbime rinore, këshillimi dhe informacion; 
  • Sport, art, turizën dhe kulturë. 

Përfitues: punëkërkues të papunë, të regjistruar dhe aktivë për jo më pak se 12 muaj në zyrën e punës mbi moshën 25 vjeç. 

Kategoritë e punëdhënësve përfitues janë: 

  • Organizata jofitimprurëse; 
  • Organizatavullnetare; 
  • Biznese sociale/sipërmarrje sociale/ndërmarrje sociale; 
  • Organizata publike të specializuara në këto fusha. 

Programi i Punësimit të Personave të Papunë për shkak të COVID-19 – është program punësimi 4 – 8 ose 12 mujor ku profili dhe nevojat e punëkërkuesit përshtaten me vendet e lira të ofruara nga punëdhënësi. Paga përcaktohet në kontratën e punës sipas kushteve të tregut. 

Përfitues: punëkërkuesit e papunë për shkak të Covid-19, të regjistruar në Zyrën e Punës.